Bota e muzikës dhe jo vetëm është tronditur nga vdekja e papritur të këngëtarit shqiptar të Maqedonisë, Shpat Kasapi i cili ndërroi jetë teksa ishte në Itali.
Selvije Jao, ish-bashkëshortja e artistit përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale shprehet se ajo dhe këngëtari ishin shumë të lumtur këtë periudhë, pasi kishin arritur të bënin dokumentet për në Itali, në mënyrë që të çonin Roelin te mjekët logopedë më të mirë të vendit, pasi fëmija është diagnostikuar me spektrin e autizmit.
“Ndërove jetë në krahët e mi, o jetë…” e nis shkrimin e saj Selvije Jao, duke treguar se pavarësisht divorcit, ajo ruante marrëdhënie të mira me artistin.
Kasapi nuk ka arritur t’i mbijetojë sulmit kardiak, ndonëse nuk raportohej të kishte pasur probleme të mëparshme shëndetësore. Megjithatë vet ai në daljet e fundit televizive ka shpjeguar se vunte nga ankthi dhe kjo ishte një prej arsyeve që ai ishte bërë musliman praktikant. Sipas tij, kurani dhe namazi e ndihmonte të përballonte ankthin. Nisur nga kjo ngjarje mjeku Luciano Bardhi në rrjetin social Facebook shpjegon se ankthi i vazhdueshëm dhe i fortë e dobësojnë zemrën, duke sjelllë dhe probleme të mëtejshme. Në të njëtën mënyrë, arrest kardiak, ka humbur jetën dhe babai i Kasapit, gjithashtu këngëtar, duke lënë pas dy djem të cilët u rritën jetim.
Shpat Kasapi, lindi më 1 maj 1985 në Tetovë, u rrit në një familje me origjinë dibrane dhe me traditë muzikore. Në fillimet e viteve 2000 ai u bë pjesë e skenës muzikore shqiptare, duke fituar popullaritet të madh me stilin e tij modern dhe performancat energjike. Këngë si “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit” dhe “Aroma e saj” u kthyen në hite që e bënë të njohur në gjithë trojet shqiptare. Ai vazhdoi të ishte aktiv dhe i pranishëm në muzikë, duke ruajtur popullaritetin edhe vitet e fundit.
Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka tronditur botën e artit dhe fansat e shumtë që e kanë ndjekur ndër vite.







