Shpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 është një nga momentet më themelore të historisë së shtetit shqiptar, por në këndvështrimin e sotëm ajo vlerësohet jo vetëm si akt politik e kombëtar, por si pikënisja e një procesi shtetformimi, modernizimi dhe afirmimi ndërkombëtar.
Sot, shpallja e pavarësisë shihet si një vendim i jashtëzakonshëm, i marrë në rrethana jashtëzakonisht të vështira për Shqipërinë dhe Ballkanin. Në vitin 1912 Perandoria Osmane ishte drejt shpërbërjes. Shtetet fqinje, jo vetëm që kishin fituar pavarësinë por ishin duke zgjeruar territoret e tyre nëpërmjet Luftërave Ballkanike. Në Evropë po krijoheshin konceptet e reja komb dhe shtet. Shtetet e reja po krijonin ushtri të forta dhe diplomaci aktive. Në këtë kontekst, elita shqiptare ndërmori një hap që kërkonte kurajo dhe vizion të qartë për të garantuar që Shqipëria të mos zhdukej nga harta politike e Europës. 28 Nëntori shënon jo vetëm ndarjen nga Perandoria Osmane, por lindjen e shtetit shqiptar. Sot, shumë studiues e konsiderojnë këtë datë si pikën e nisjes së proceseve institucionale që kanë formësuar identitetin politik të Shqipërisë: krijimin e qeverisë së parë, strukturave administrative, përpjekjet për njohje ndërkombëtare, dhe më pas sfidat e ndërtimit të shtetit në një territor të fragmentuar politikisht dhe etnikisht. Në këndvështrimin modern, ky moment shihet si themeli mbi të cilin u ngrit identiteti shtetërordhe një shtysë e fortë drejt vetëvendosjes dhe europianizimit.
Sot, Ismail Qemali vlerësohet jo vetëm si udhëheqës historik, por si një diplomat me vizion që kuptoi rëndësinë e kontekstit ndërkombëtar. Kontributi i tij dhe i delegatëve të tjerë të Vlorës shihet në prizmin e përpjekjeve për të krijuar një identitet politik të përbashkët, pavarësisht dallimeve krahinore, fetare apo kulturore. Ismail Bej Vlora kishte shërbyer për dekada në administratën osmane, duke njohur mekanizmat e brendshëm të Perandorisë dhe politikën ndërkombëtare. Falë kësaj përvoje, ai kuptoi qartë rrezikun që i kanosej Shqipërisë gjatë Luftërave Ballkanike, të cilat kërcënonin ta ndanin territorin shqiptar midis shteteve fqinje. Bej Vlora ndërmori përpjekje diplomatike për të siguruar njohjen ndërkombëtare të shtetit të ri shqiptar. Më pas punoi për krijimin e administratës, rendit publik dhe strukturave të para shtetërore. Në krah të tij vepruan figura të shumta që u quajtën “elita kombëtare”, të cilët luajtën rol vendimtar si në organizimin e Pavarësisë, ashtu edhe në formulimin e identitetit kombëtar shqiptar
Sot, në një epokë ku Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Europian, shpallja e pavarësisë shihet si hapi i parë i drejtuar drejt Europës. Delegatët e Vlorës sollën parime që përkojnë me idealet europiane moderne: liri, vetëvendosje, identitet kombëtar dhe qeverisje e përgjegjshme. Në vështrimin e sotëm, shpallja e pavarësisë na kujton disa mesazhe aktuale: Rëndësinë e bashkimit përballë rreziqeve të jashtme; nevojën për lidership me vizion afatgjatë; domosdoshmërinë e forcimit të institucioneve; vlerën e orientimit drejt Europës dhe demokracisë. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, në optikën e sotme, nuk është thjesht një datë historike. Ajo është një simbol i zgjedhjes strategjike të shqiptarëve për të qenë pjesë e qytetërimit europian, një moment i identitetit kombëtar dhe një pikë referimi për proceset e ndërtimit të shtetit dhe demokracisë. Sot, ky akt vlerësohet si themeli i rrugëtimit modern të Shqipërisë drejt stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit europian.







