Literaturës shqiptare i është shtuar edhe një tjetër monografi shkencore, “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”, me autorë Prof. Dr. Hamit Boriçi dhe Dr. Jolanda Lila. Aktiviteti i promovimit mblodhi në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit studentë dhe pedagogë të fushës së medias, komunikimit dhe më gjerë.
Është i njohur në gazetari kontributi i Prof. Dr. Hamit Boriçit në lëmin e historisë së shtypit shqiptar. Por tashmë kontributi i tij është fokusuar në shtypin arbëresh. Hulumtimet e Profesor Boriçit kanë zgjatur me dekada dhe rruga nuk ka qenë e lehtë.

Ndërkohë, nuk ka munguar edhe fryma e re e Dr. Jolanda Lila, kërkuese shkencore në Qendrën e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, bashkëautore në këtë monografi.
Profesor Boriçi, pasi përshëndeti të pranishmit, foli për fillimet e kërkimeve të tij në këtë fushë, ndërsa studiuesja Lila foli me detaje jo vetëm mbi mbledhjen dhe hulumtimin mbi shtypin arbëresh, por edhe mbi sfidat për ruajtjen e gjuhës dhe mbrojtjen e kësaj trashëgimie. Gjithashtu, u diskutua mbi nocionet e reja dhe tezat e hedhura në këtë studim, si për shembull: si duhet të quhet shtypi arbëresh, apo shtyp italo-shqiptar.

Ndërkohë, shumë familje kanë emigruar drejt veriut të Italisë apo jashtë saj, duke krijuar një perspektivë të re hulumtimi, pasi tashmë kemi “diasporën për diasporën”. Pra, ky studim përbën një perspektivë të re që jo vetëm ndjek zhvillimin e medias në kronologjinë e saj, por edhe trendet e zhvillimit historik të një qytetërimi dhe kulture në emigrim.







