Shkrimtarja shqiptare me banim në Amerikë ka zhvilluar më 24.11.2025 një bashkëbisedim me publikun në Prishtinë dhe më 26.11.2025 një takim në Tiranë. I shkruar dhe i botuar fillimisht në anglisht në SHBA, përkthyer më pas në shqip nga Shtëpia Botuese “Dudaj” në Tiranë, romani “Keqkuptimi” (Misinterpretation) rrëfen historinë e një përkthyeseje shqiptare në Nju Jork, e cila pranon që ta ndihmojë si përkthyese gjatë seancave të terapisë Alfredin, një i mbijetuar i torturës nga Kosova.
Një histori që eksploron përkthimin e traumës së emigrantëve dhe njëkohësisht udhëtimin e një gruaje drejt njohjes së vetvetes është subjekti i librit “Keqkuptimi” i autores Ledia Xhoga.
Ajo rrëfen për bashkëatdhetarët: “Unë punoja në shtëpi botuese në Nju Jork për shumë vite dhe sa herë që punoja gjithmonë i thosha vetes duhet t’i kthehem shkrimit. Punoja në shtëpi botuese që merrej me libra, librat shkencorë dhe udhëtoja shumë. Udhëtoja në Gjermani, në Kaliforni gjithandej dhe me atë punë që kisha ishte shumë e vështirë që të shkruaja.”, tregon Xhoga. Po ndryshe nga personazhi i përkthyeses që është e detyruar që të bëjë atë që duhet, shkrimtarja është e vendosur të bëjë atë që do.
“E lashë punën nisa disa programe master që janë vetëm për shkrimin dhe aty nisi romani i parë, po që sa herë që e mendoja nuk më bindëte. Kisha një lloj zhgënjimi ngaqë lash punën, lash të ardhurat dhe kisha vështirësi t’i kthehesha romanit përsëri”.
Megjithatë, rruga drejt romanit “Keqkuptimi” nuk ishte e lehtë. Shkrimtarja kujton periudhën e gjatë të pasigurisë. ‘Unë nuk kam përkthyer ndonjëherë. Ishte një punë vullnetare. Më tha një shoqja ime që punonte në një organizatë, që ndihmonte ata që kishin kaluar tortura dhe unë thash po mund ta bëjë.” Kjo ishte pikënisja që romani të niste si ide dhe më pas të merrte formë. “Dhe pse nuk arrita të përkthej për atë person, fillova të mendoja dhe të shkruaja për persona që ndihmojë të tjerët dhe tek sa shkruaja dalëngadalë filloi ndërtimi i romanit, pra që doli nga rastësia”- tha ajo.
Ndërsa autorja shpjegon të shkruarit si procers ajo përpiqet që ta ndaj sa më shumë shkrimtaren nga personazhi. “Eshtë një vlerë që të ndihmosh njerëzit përreth, po ama është edhe një vlerë që t’u kushtosh vëmendje njerëzve që ke afër teje, që realisht t’i kuptosh, të komunikosh me ata. Kjo është një vlerë tjetër dhe shpresoj që ky cifti në libër ta ketë arritur atë, që ta kuptojnë njëri- tjetrin, të komunikojnë me njër-tjetrin”, shpjegon autorja.
Pas shumë vitesh angazhim në botime, teatër dhe dokumentar, Ledia Xhoga tashmë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare. “Keqkuptimi” ishte një ndër librat e nominuar për “Booker Prize” këtë vit, ndërkohë që tashmë ajo po punon për një roman të ri. Xhoga është shkrimtarja e dytë shqiptare që arrin një nominim të tillë, pas Ismail Kadaresë, i cili është dhe fitues i çmimit prestigjoz në vitin 2005. Shkrimtari i ndjerë u nominua gjithashtu për këtë çmim dhe në vitet 2017 dhe 2024.







